Pages

Showing posts with label Smiling Cities Fondin Shqiptar për Monumentet Artan Shkreli. Show all posts
Showing posts with label Smiling Cities Fondin Shqiptar për Monumentet Artan Shkreli. Show all posts

Jun 20, 2012

Monument ne Rrezik | Kalaja e Tepelenes

FORUMI I TRASHEGIMISE:


Kalaja e Tepelenës në rrezik, muret drejt shembjes


Shfaqen dy pllakatat e rralla të Mesjetës, hedhin dritë mbi Ali Pashë Tepelenën dhe luftën turko-veneciane. 

nga Eri Baco | Gazeta Shqiptare, e shtune 2 Qershor 20120

Kalaja e Tepelenës është drejt shkatërrimit të pakthyeshëm! Mesazhi SOS përgjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet objekti, është dhënë dje nga anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë. Në një tryezë të mbajtur në këtë qytet, Artan Lame, Artan Shkreli, Auron Tare dhe kryetari i bashkisë Tërmet Peci, janë shprehur se muret e kësaj trashëgimie me rëndësi për historinë e Shqipërisë, janë drejt shembjes. Specialistët e trashëgiminë, urbanistë, arkitektë, përfaqësues të njohur të shoqërisë civile në Shqipëri nën moton "Tepelena në rrezik" i kanë bërë me dije shqetësimet në të parin takim publik të këtij lloji mbi nevojat e menjëhershme të trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Në bashkëpunim e bashkinë e Tepelenës të pranishmit
u janë referuar problematikave aktuale të trashëgimisë, të cilat po degradojnë me një ritëm të lartë. Takimi i mbajtur në hyrje të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, pat për qëllim sensibilizimin e opinionit dhe politikës për ruajtjen e vlerave historike dhe mbrojtjen e monumenteve që mbart ky i fundit.

MESAZHI SOS

Kryetari i bashkisë Tërmet Peçi ka konkretizuar disa prej hapave mbi rikthimin e traditave, duke nisur me pastrimin e mbetjeve urbane, të cilat vetëm një vit më parë kishin rrethuar këtë objekt të rëndësishëm në llojin e vet. Nga ana tjetër, ai u ka bërë thirrje përfaqësuesve të shoqërisë civile të jenë pjesë e mbrojtjes dhe
investimeve në këtë zonë. "Qyteti i Tepelenës numëron zona monument kulture, të cilat po degradojnë. Kalaja, një objekt me rëndësi të veçantë është drejt rrënimit, muret janë gati në të shembur e në kushte të tilla apeli për ndihmë është edhe më i gjerë", tha ai. Përfaqësuesi i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë
Artan Lame, në fjalën e tij, e vuri theksin tek problematika e trashëgimisë në këtë qytet. "Tryeza e sotme, ka për qëllim pikërisht nismat e mëtejshme të shpëtimit të këtyre objekteve që përfaqësojnë historinë shqiptare. Tepelena është lënë në harresë nga Qeveria duke humbur nga viti në vit objekte me shumë vlera. Ne erdhëm në një nga ambientet e fundme të mbetura të mbuluara të kalasë për ta parë situatën nga brenda, e për të vënë gishtin mbi plagë", -tha ai. Lame i bëri thirrje shtetit shqiptar, politikës, institucioneve dhe donatorëve t'iu përgjigjen nevojave të qytetit për të shpëtuar atë çka ka mbetur nga kjo kështjellë, pasi ajo ka vlera të jashtëzakonshme historike të kombit.

Nga ana tjetër, arkitekti i njohur Artan Shkreli ka vënë theksin tek ato që duhet të jenë projekte konkrete në
ndihmë të shpëtimit të objekteve, njëherazi edhe të vënies në funksion të turizmit e përmirësimit të jetës së banorëve. "Ajo çka duhet të jetë primare është pikërisht fillimi i regjistrimit të objekteve aktuale monument
kulture e historike, investim për emergjencat e këtyre objekteve e më pas përmirësimi i imazhit, duke nisur
më pjesën e jashtme të kalasë në mënyrë që të thithen sa më shumë vizitorë".
Studiuesi Auron Tare, një prej nismëtarëve të tryezës dhe mbrojtës i monumenteve është shprehur se Kalaja e Tepelenës, e rrënuar nga banesat dhe mbetjet duhet të jetë në vëmendjen e gjithë banorëve. "Axhenda për vizitimin e kalasë duhet të aktivizojë jo vetëm historianë e studiues, por në radhë të parë vetë banorët për të mirëmbajtur atë", tha ai, pa harruar të 'dënojë' për moskujdes deputetët e zonës.

ZBULIMI

Veç lajmeve të frikshme, nga Tepelena vjen edhe një lajm i mirë. Në fund të takimit "Tepelena e rrezikuar", për herë të parë janë ekspozuar dy pllakata guri të rralla. Me mbishkrime që datojnë në Mesjetë, ato janë evidentuar nga imami Ardit Hoxhillaku në bashkëpunim me arkeologë shqiptarë dhe të huaj. Sipas studiuesit
Auron Tare, këto pllakata gjendeshin në bodrumin e Muzeut të Tepelenës dhe u përkasin datimeve të ndryshme, por mbartin mbi vete histori të veçanta. Pas zbulimit të tyre rreth një muaj më parë, ato janë dërguar në Qendrën e Studimeve Orientale në Universitetin e Venecias, ku edhe është bërë pastrimi i tyre dhe zbardhja e përmbajtjes së shkrimeve. Profesorët që kanë punuar me deshifrimin e mbishkrimit, janë Giancarlo Macchiarele dhe prof. Mehmete Tutucu. Pllakata e parë daton në vitin 1538 dhe është në osmanisht. Personi që e ka shkruar mendohet të ketë qenë pjesëmarrës në betejën mes Venedikut e Turqisë, zhvilluar në Prevezë. Pala osmane drejtohet nga Hajredin Barabaroza, ndërsa ajo venedikase nga Andrea Doria. Pllakata e dytë, duket të jetë ende më e rëndësishme. "Mendohet se është një gur varri, dedikuar një oficeri të ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës, duke sjellë në këtë mënyrë një dokument autentik se kjo ushtri ka qenë e pavarur", - sqaroi Auron Tare. Objektet do të ekspozohen në Muzeun e Tepelenës.

MTKRS

Drejtori i Trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Olsi Lafe, tha se është miratuar një projekt prej 4.5 milionë lekësh të reja që do t’i vihen në dispozicion trashëgimisë së Tepelenës. Fondi i dedikuar kalasë, u ka çelur dritën jeshile edhe projekteve të tjera që kanë qëllim mbrojtjen e historisë dhe trashëgimisë.





Mar 19, 2012

Outdoor Albania | Rafting

Summer's around the corner, 
so gear up and be ready to experience 
the beautiful, the adventurous, the unspoiled
Albanian terrain.


Jul 21, 2011


“Smiling Cities”, ndrysho qytetin tënd!

Nën titullin “Smiling Cities” për herë të parë po kërkohen masivisht ide se si mund të rivitalizohen lagjet e qyteteve tona. Jo thjesht dhe vetëm nga institucionet që kanë pasur dhe kanë në dorë më së shumti fatin e tyre, edhe duke e keqpërdoruar rëndë atë. Por nga studentët e degëve të arkitekturës, arteve, inxhinierive, nga studiot e dizajnit në vend. Jo vetëm nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Akademia e Arteve, Universiteti UFO me të cilët po bashkëpunohet më tepër, por me pranime të hapura për këdo nga këto degë, nga cilido universitet, edhe jashtë vendit.

“Pjesëmarrja në projekt është e hapur për gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në të, pavarësisht se në ç’universitet studiojnë, se në kë qytet të Shqipërisë apo botës jetojnë, mjafton të jenë të rinj, duke studiuar apo të sapodiplomuar në këto profesione, dhe me ide për të ndryshuar dhe përmirësuar cilësinë e zonave urbane të qyteteve tona”, shpjegon koordinatorja e projektit, Anila Berberi. Më të gatshëm deri tani janë shfaqur sidomos studentët shqiptarë në Itali, edhe pse projekti është shpërndarë në universitete të huaja kudo nëpër botë ku ka shqiptarë. Sensibilizimi në vendin fqinj është arritur falë Shoqatës së Studentëve të Italisë, Interreg Lecce, Skanderbeg Parma etj. Në pak ditë, nga ky vend kanë mbërritur pesë formularë me pesë projekt-ide.

Projekt-ide që si projekt-ideator të kërkimit dhe mbledhjes së tyre kanë arkitektin e njohur Artan Shkreli. “Smiling Cities” është pikërisht një ide e tij, e cila është miratuar dhe po konkretizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptar për Monumentet, të cilin ai drejton, Shoqatën e Arkitektëve Shqiptarë dhe shoqërinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GiZ, me një këndvështrim të ri për rivlerësimin e hapësirave publike urbane në Shqipëri. Por jo në pikëpamje makrourbane, por mikrourbane, duke u drejtuar nga nevojat konkrete dhe të përditshme të komunitetit, për shërbime cilësore, për një jetë aktive dhe dinamike kudo nëpër lagje, edhe ato periferike.

Në këtë projekt shpjegohet si qëllim edhe rilevimi dhe ruajtja e zonave monumentale, historike, kulturore, duke u bazuar tek bashkekzistenca kulturore, multirajonale dhe multifetare në përputhje me ndryshimet e shpejta të imazhit urban, rivitalizimi dhe promovimi i imazhit të zonave të veçanta të qytetit për krijimin e një identiteti të përbashkët. Duke kërkuar të nxiten edhe debate publike për këto tema. “Projekti tanimë është në fazën e tij të parë, atë të regjistrimit, i cili ka nisur në datën 4 korrik dhe mbyllet në 30 korrik. “Një projekt i konceptuar në pesë faza, të cilat mbyllen me një botim ku do të pasqyrohen 10-15 punimet më të mira, të cilat do t’iu shpërndahen bashkive dhe minibashkive, studiove të arkitekturës dhe inxhinierisë, studiove të design-it, si edhe shumë shoqatave dhe OJQ-ve”, shpjegon Anila Berberi. Me shpresë se inovatorët e rinj do të shpërblehen meritueshëm dhe idetë e tyre do të materializohen duke sjellë sadopak ndryshim në miniambientet e lagjeve, qyteteve tona.

Artan Shkreli, arkitekt: Studentët, më idealistët dhe antikonformistët

Risia e këtij projekti ka të bëjë me përfshirjen e një target grupi të ri me akses në fushën e dijeve profesionale, si studentë dhe të diplomuar në Shqipëri dhe jashtë, në mënyrë që të shprehin idetë e tyre kreative dhe krijimin e një imazhi të ri të qytetit, apo të lagjes. I takon kategorisë së arkitektëve, inxhinierëve dhe dizenjuesve të ardhshëm, të cilët nesër do t’i japin jetë qytetit dhe do të zgjidhin problemet specifike.

Ftojmë pikërisht dhe sidomos studentët apo të sapodiplomuarit, të rinjtë, meqë ata janë më idealistët dhe antikonformistët. Ata mund të përcjellin se çfarë dëshiron vërtet rinia dhe vizionet bashkëkohore. Jemi shumë të interesuar që të kemi studentë që mund të transmetojnë një pjesë të përvojës së tyre evropiane, si edhe një vizion më bashkëkohor, dhe pse jo, edhe më modern. Pra nuk ka rëndësi nëse vazhdojnë studimet apo i kanë përfunduar ato. Pjesëmarrja është e lirë, ashtu siç është e lirë dhe fusha e krijimtarisë se tyre. Të lirë janë dhe në konceptet që duan të zgjedhin, se në ç’lagje apo qytet duan të kontribuojnë. Projekti synon të stimulojë idetë origjinale, duke i lënë rrugë imagjinatës dhe dëshirës për një qytet ku gjithkush mund të lërë gjurmë, të përmirësojë imazhin dhe të ruajë vlerat kulturore dhe historike, të theksojë vlerat që janë harruar, por që koha nuk mund t’i fshijë.

Faza I

4-30 korrik. Regjistrimi. Pranë sekretarive të Universitetit Politeknik të Tiranës, pranë universitetit UFO dhe tek Fondi Shqiptar për Monumentet. Për studentet që studiojnë jashtë Shqipërisë online, duke dërguar të dhënat personale.

Faza 2

23-31 korrik – Katër workshope ose seminare. Për studentet që gjenden ende jashtë shtetit materialet didaktike do të jepen me anë të medias elektronike.

Faza 3

Shtator 2011 – Zhvillimi i konkursit. Do të ketë tre çmime për punimet më të mira, të cilat do të jepen nga një juri e specializuar.

Faza 4

Tetor – Nëntor 2011. Ekspozitë shëtitëse. Dhjetë-pesëmbëdhjetë punimet më të mira do të paraqiten në një ekspozitë shëtitëse në ambiente publike në Tiranë, si dhe në dy rrethe të Shqipërisë.

Faza 5

Nëntor 2011 – Publikim i një libri me 10-15 punimet më të mira, me tekstin, fotografitë dhe design (në shqip dhe anglisht). Edhe me të dhënat e studentëve pjesëmarrës, numrin e telefonit, e-mailin etj.

Formulari i regjistrimit dhe për çdo sqarim kontaktoni në adresat e-mail: anila_berberi@hotmail.com ose albanianfm@yahoo.com. Tel: 0682058937

*Botuar në gazetën Shekulli, dt. 20.07.2011

Gazetare: Magdalena Alla